Qyteti i Vlorës është tronditur mesditën e sotme pas një atentati mafioz ku dy persona kanë humbur jetën ndërsa një i tretë është plagosur.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45 në zonën e Ujit të Ftohtë ku ka pasur të shtëna me armë zjarri.

Mësohet se viktimat janë të rinjtë Orest Rexho dhe Arjan Hasani, ndërsa i plagosur mbeti shtetasi Armando Sulejmani, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Paraprakisht mendohet se ata janë qëlluar nga një makinë në lëvizje. Një prej viktimave u gjet i pajetë brenda një makine të ndaluar, kurse viktima tjetër i shtrirë në rrugë.

Ndërkohë, policia ka gjetur në fshatin Babicë një automjet në flakë, që dyshohet se është përdorur nga autorët. Në vendngjarje ndodhen forca të shumta policore dhe janë ngritur postblloqe në rrugët e qytetit.