Policia njofton se ka shpallur në kërkim dy vëllezër pasi dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit  B.D. në qytetin e Bulqizës.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:00, në vendin e quajtur "Unaza e Re,"  Bulqizë, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të mjetit të shtetasit B.D, 41 vjeç, i cili është dëmtuar lehtë në dorë dhe pasi ka marrë ndihmë mjekësore ka dalë nga spitali.

Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka bërë identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasve: A.T, 26 vjeç, dhe M.T, 32 vjeç, (vëllezër) si autorët e dyshuar të kësaj ngjarje.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur  për motive të dobëta. Nga ana e policisë janë ngritur pika kontrolli dhe po krihet zona për kapjen e tyre. 

Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale "Vrasje me dashje e mbetur në tentativë", "Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake".