Policia e Vlorës ka arrestuar Armando Sulejmanin, i njohur edhe me nofkën “Çipuri”, një ditë pas atentatit në zonën e Ujit të Ftohtë ku mbeti i plagosur. Bëhet me dije se Armando Sulejmani akuzohet për armëmbajtje pa leje.

Në vendin e ngjarjes ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagos 42-vjeçari, u gjet një pistoletë. Sipas hetuesve, dyshohet se arma i përket pikërisht Armando Sulejmanit. Ndërkohë, në komisariat u shoqëruan edhe persona të tjerë, por më pas janë lënë të lirë.

Armando Sulejmani është personazh i njohur i botës së krimit në Vlorë. Në vitin 2016, ai i kishte shpëtuar një tjetër atentati me armë, ku mbeti i plagosur lehtë në krah. Para 3 vitesh “Çipuri” kishte dalë nga qelia pasi ka qenë i dënuar për vrasje me 20 vite burg. Ai njihet si anëtar i bandës së Gaxhait.

Mesditën e së dielës, Armando Sulejmani ishte pasagjer në makinën Volkswagen që u qëllua me breshëri kallashnikovi tek Uji i Ftohtë. Nga të shtënat mbetën të vrarë Arjan Hasani dhe Orest Hoxha. Kurse Armando Sulejmani mbeti i plagosur.

Hetimet e uniformave blu vazhdojnë për të identifikuar dhe arrestuar atentatorët, ndërsa dyshohet se pistë e ngjarjes të jetë hakmarrja.