Policia e Himarës ka ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë-Borsh dhe Himarë-Vlorë për kapjen e vrasësve të biznesmenit Niko Goro, ngjarje e regjistruar mëngjesin e sotëm.

Këto janë pamjet e vendit ku ai u ekzekutua me gjakftohtësi nga një person, që derdhi drejt tij 5 plumba dhe u largua me shpejtësi me një mjet tip Volkswagen, ç’ka e bën Policinë të mendojë se ka qenë edhe dikush tjetër në makinë që e ka ndihmuar në atentat.

Nga plumbat u plagos edhe motra e biznesmenit, 57-vjeçarja E.Q, që fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi i Policisë së Shtetit:

Më datë 17.10.2020, rreth orës 08.55 minuta në vendin e quajtur rrethrrotullimi që të çon në lagjen Spille Himarë, nga një person ende i paidentifikuar është vrarë me armë zjarri shtetasi N.G, 51 vjeç.

Si pasojë është plagosur lehtë në këmbë edhe shtetasja E. Q., 57 vjeçe, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli në aksin rrugor Himarë – Borsh e Himarë – Vlorë.

Në ndihmë të Policisë Vendore janë nisur forcat Operacionale dhe Shqiponjat e DVP Vlorë.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.