Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje në Durrës, arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Operacioni për arrestimin e 51-vjeçarit ka ardhur pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

“Forcat Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kapjen e personave në kërkim dhe atyre që disponojnë armë zjarri në banesë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar punën dhe kanë ushtruar kontroll në një banesë në lagjen nr. 16, Durrës dhe si rezultat kanë goditur një rast të armëmbajtjes pa leje.

Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë shtetasi D. R., 51 vjeç, banues në Durrës”, informon sot policia e qytetit.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 armë zjarri automatik, 4 krehra dhe 70 fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet në ngarkim të shtetasit D. R. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.