Zbardhet dëshmia e autorit të vrasjes në Shkodër dhe shënjestrës që shpëtoi. Stjuart Smakaj që aksidentalisht vrau shokun e ngushtë, i penduar është shprehur para grupit hetimor pas dorëzimit se nuk e dinte që në makinën drejt së cilës qëlloi nga kati i dytë i banesës ndodhej shoku i ngushtë Gledis Kraja.

23-vjeçari ka treguar se shënjestra ishte Denis Halili pas debatit që kishin pasur. “Nuk e dija që në makinë ishte edhe shoku im. Kam debatuar me Denis Halilin dhe kam qëlluar nga kati i dytë i pallatit”, mësohet se është shprehur ai, raporton “Report tv”.

Ndërkohë që shënjestra ka rrëfyer si u shpëtoi plumbave. “Deri te makina më ndoqi shoku i autorit Gledisi, në momentin kur u qëllua me armë u shtriva në tokë dhe më pas ika me shpejtësi”, tha ai. Konflikti ndodhi pas debatit për disa mobilje, që autori i kishte porositur te Halili. Ndërkohë në kërkim është vëllai i autorit Sebastian Smakaj. 

Në vendin e ngjarjes u gjetën 18 gëzhoja, makina tip ‘Ford’ ku ndodhej ish-futbollisti i Vllaznisë u bë shoshë nga plumbat. Stjuart Smakaj është person me precedent penal. Në vitin 2015 ai u arrestua së bashku me 3 persona të tjerë, pasi sulmuan tre punonjës policie me levë hekuri dhe sende të tjera metalike duke i plagosur. 

Ndërkohë që viktima Gledis Kraja pasi hoqi dorë nga futbolli, aktualisht punonte në një kompani dezinfektimi. Gledis Kraja ka qenë futbollist tek ekipi i Vllaznisë në vitin 2013.