Ka dështuar sërish gjyqi për 4 të pandehurit për vrasjen e Marvi Mihalit pasi avokatët e të pandehurve u ofenduan nga fjalët e babait të të ndjerit.

Ky i fundit, gjatë seancës, u shpreh se avokatët ishin munduar gjatë gjithë procesit të shpëtonin disa kriminelë dhe se ata rendin pas parasë.

Ndër të tjera, Pavllo Mihali, kërkoi dënimin me nga 35 vite burg për secilin nga të pandehurit, si dhe paralajmëroi se nëse nuk vendoset drejtësi, do veprojë Kanuni dhe Kurani.

Pas këtyre fjalëve, avokati Sokol Hazizaj, tha se ai ndihej i ofenduar nga këto fjalë dhe se nuk mund të vazhdonte më procesi, pasi ai ishte aty për të kryer një punë dhe nuk mund të cënohej për shkak të punës së tij.

22-vjeçari Marvi Mihali u vra pas një përleshje mes të rinjve për një karikues më 31 korrik të vitit 2017.