Personi që kishte marrë me qira mjetin ‘Skoda Fabia” që u gjet e djegur në vendin e quajtur ‘Kodra e Bardhë’ në Pukë, është një gjyqtar sportiv italian. Media italiane ‘La Nazione” shkruan se brenda makinës që u gjet e djegur në Shqipëri më datë 8 janar udhëtonte një gjyqtar i njohur italian, Davide Pecorelli, që rezulton i zhdukur prej 10 ditësh tashmë.

“La Nazione” ngre shqetësimin për atë çfarë mund t’i ketë ndodhur gjyqtarit në Shqipëri, i cili është edhe një biznesmen në Itali, pasi zotëron një hotel në Lama, në komunën e San Giustino, sallone bukurie dhe parukerie mes Tiberit të Epërm dhe Valtiberinës.

Edhe në Sansepolcro, Pecorelli kishte themeluar një nga dyqanet “Hairdressers Milan”. 45-vjeçari ka qenë për shumë vite një gjyqtar profesionist dhe ka drejtuar kryesisht në Serinë C në Itali gjatë karrierës së tij. Por ndërkohë, në CV ka edhe shumë ndeshje në Serinë A, por si gjyqtar i katërt.

Sipas gazetës italiane ‘La Nazione’, brenda makinës së djegur janë gjetur disa sende personale të Pecorellit, dhe pas gjetjes së tyre janë sinjalizuar autoritetet italiane për zhdukjen e gjyqtarit. Media italiane shton më tej se ka qenë pikërisht biznesi që e ka sjellë 45-vjeçarin në Shqipëri, pasi prej një viti kishte shtrirë ‘tentakulat’ e salloneve të tij në vendin tonë, dhe e kishte lënë në dorë të një ortaku.

Në ditët e para të vitit 2021, sipas burimeve të konfirmuar nga “La Nazione”, Pecorelli ka ardhur në Shqipëri, ka marrë një makinë me qira, dhe ka udhëtuar drejt Pukës, ku në aksin Gjegjan-Reps u gjet e djegur makina e tij. Ndërsa nga vetë gjyqtari nuk ka asnjë gjurmë.

Pacorelli kishte partneren shqiptare dhe ajo mund të jetë një prej arsyeve që e sillte biznesmenin në vendin tonë, përveç biznesit. Por, vajza me të cilën i zhdukuri ka edhe një fëmijë, nuk është identifikuar ende për tu marrë në pyetje. Pecorelli kishte edhe dy fëmijë të tjerë me gruan e parë, me të cilën është ndarë para shumë vitesh.

“Davide shkon në Shqipëri, merr me qira një automjet Škoda Fabia i cili gjendet disa ditë më vonë i djegur nga flakët në rrugën Gjegjan-Reps, në Pukë. Shkaqet e zjarrit nuk dihen ende, ndërsa mediat shqiptare shkruanin se makinën me qira e kishte marrë një turist i huaj. Një banor i zonës pa makinën në flakë dhe njoftoi policinë.

Kërkimet mbi Pecorelli filluan menjëherë, pasi ai nuk ishte i pranishëm kur policia dhe zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje. Ambasada shqiptare menjëherë lajmëroi anëtarët e familjes dhe policinë nga Altotiberine. Nuk përjashtohet, version që Davide Pecorelli mund të ketë vendosur të humbasë vullnetarisht gjurmët e tij, ndoshta sepse u ndoq nga dikush që donte ta dëmtonte. 

Brenda automjetit, disa objekte të pronës së tij dhe, mbase, mbetje njerëzore nuk janë identifikuar akoma mire, pritet rezultati i AND-së. Ka një rezervim të madh nga ana e forcave të policisë lokale dhe shqiptare për historinë dramatike,”– shkruhet në artikull.

Dhe në të vërtetë, kjo ngjarje në Shqipëri u raportua si një djegie e rëndomtë makine. Nga ana e autoriteteve nuk ka pasur asnjë informacion shtesë për mjetin që u dogj në Pukë.