Policia e Beratit ka “blinduar” rrugët e qytetit, ku janë ngritur postblloqe të shumta. Këto masa janë ndërmarrë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e personave në kërkim si dhe për rritjen e sigurisë rrugore. Masat e shtuara janë  aktivizuar në qytet prej dy ditësh, ku postblloqe përveçse në Berat ka paralelisht edhe në katër bashkitë e tjera të qarkut.

Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetetet.

Vetëm në dy ditët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 100 automjete dhe janë vendosur 80 masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Kontrollet policore nuk janë përqëndruar vetëm në rrugët e qytetit, por edhe në bare e lokale, që dyshohen për ushtrimin e veprimtarive të paligjshme.