Domart Kojnari, i dënuar në Francë me 10 vjet burg dhe i liruar në Shqipëri për shkelje procedurale, i dyshuar si i përfshirë në 8 vrasje në Shqipëri dhe Francë, ndodhet në arrati, pasi ende nuk është ekzekutuar masa “arrest në burg”, caktuar në mungesë ndaj tij.

Interpol Tirana e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar, por nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij.

Shkresa e Interpol u lexua në seanën gjyqësore të së hënës, e cila u shty për shkak të mosgjetjes së Konjarit dhe njoftimit të tij për gjyqin.

Gjykata citoi edhe një shkresë të Komisariatit të Policisë nr. 4, sipas të cilës Konjari nuk ishte më banor i kësaj zone.

Gjykata e shtyu seancën e sotme, dhe pret përgjigje nga Komisariati i Policisë nr.1 në Tiranë dhe Interpol Tirana.

I pandehuri akuzohet se ka krijuar organizatë kriminale në Francë, aktiviteti i së cilës ishte trafikimi dhe shitja e lëndës narkotike heroinë. 

Ky shtetas u arrestua fillimisht në 18 janar 2016 në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në Korçës, pasi iu gjetën dokumenta të fallsifikuara me emrin Arben Lazri dhe për këtë arsye, ndaj tij u vendos masa e sigurisë “arrest në burg”. Në bazë të veprimeve proceduriale, u identifikua se ky shtetas ishte Domart Konjari, për të cilin kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar nga autoritetet franceze, pasi ai ishte dënuar me një vendim jo-përfundimtar me 10 vjet burgim. Autoritetet franceze kishin bërë gjithashtu një kërkesë autoriteteve shqiptare që, nëse arrestohej, gjykimi ndaj tij të zhvillohej në Shqipëri.

Duke qenë se vepra për të cilën akuzohej në Francë, “trafik lëndësh narkotike”, ishte në kompetencë të Gjykatës për Krime të Rënda, dosja me arrestimin e tij u kalua nga Gjykata e Korçës për në Tiranë.

Në bazë të një vendimi, i cili u kontestua nga ana e Prokurorisë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda në Shkurt 2016 urdhëroi lirimin e menjëhershëm të tij dhe masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Ndërkohë që Konjari fitoi lirinë, Prokuroria për Krime të Rënda zhvilloi hetimet e saj për veprat e akuzuara në Francë, në bazë të materialeve të mbërritura nga autoritetet zyrtare të Parisit. Në bazë të këtyre hetimeve, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi sërish në Dhjetor 2016 caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj Konjarit. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës, por ndërkohë, ai nuk është gjetur ende nga policia pavarësisht se me vendim gjykate, ai duhej të paraqitej pranë Policisë Gjyqësore në mënyrë periodike. /Panorama