Të tjera detaje zbulohen për tragjedinë në familjen Tola në Ostren të Bulqizës, ku gjetën vdekjen tre persona dhe ndodhet në gjendje të rëndë një tjetër.

Mësohet se 40-vjeçarja Rajmonda bashkë me dy fëmijët e saj, Rudinën dhe Fajtonin, humbën jetën si pasojë e rrjedhjes së gazit në banesë, ndërsa Merita (vajza e vogël 14 vjeçe) ndodhet në spital në gjendje të rëndë.

BalkanWeb shkruan se ngjarja ka ndodhur gjatë natës, ndërsa tragjedia është zbuluar paraditen e sotme nga kunata e Rajmondës, e cila kur shkoi t’u hidhte bagëtive për të ngrënë rreth orës 11:30, trokiti në derën e familjes dhe askush nuk iu përgjigj.

Pas tentativave për të hapur derën, ajo njoftoi fqinjët e saj, të cilët me forcë hynë brenda, por u përballën me skenën e rëndë. Rajmonda bashkë me dy fëmijët kishin ndërruar jetë në banesë, ndërsa vajza e vogël kishte shenja jete dhe u transportua në spital. Nëna me 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi burri ishte emigrant në Greqi.