Ka hyrë në ashensorin e pallatit të tij, por ndërprerja e energjisë elektrike ka bërë që ai të kalonte disa nga momentet më të frikshme të jetës së tij.

Kjo i ka ndodhur një ditë më parë një 66-vjeçari nga Durrësi, që si nëpër filma, ka përjetuar çaste tmerri, që u mbyllën me aksidentimin e tij.

Ndërprerja e energjisë elektrike, në një pallat, në lagjen nr.12 në Durrës është shoqëruar me rënien e lirë të ashensorit të pallatit, që fatmirësisht për 66-vjeçarin B.S. që ndodhej në të, ka rënë vetëm një kat.

Por kaq ka mjaftuar që 66-vjeçari të mbetej i dëmtuar dhe të shoqërohej menjëherë në spital, sapo dyert e ashensorit janë hapur.

Policia e Durrësit bën të ditur se i moshuari ndodhet ende në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Materialet për këtë çështje u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për vlerësim.