Katër të rinj kanë rënë në pranga, pasi vodhën me dhunë dy shtetas sirianë në lagjen numër 8 të Korçës.

Mësohet se të arrestuarit u kishin premtuar sirianëve kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës, por më pas i dhunuan fizikisht dhe u grabitën 3 aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

Bëhet fjalë për M. R., 19 vjeç, banues në Korçë, K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë, A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë dhe K. I., 19 vjeç, banues në Korçë.

Në vijim të hetimeve të kryera nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimit, dyshohet se shtetasit e mësipërm, janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë 4 shtetas të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”.