Edlira Çopa është rikthyer në liri, edhe pse të pjesshme. Nëna me origjinë shqiptare, e cila në mars të vitit 2014 vrau me thikë tre vajzat e saj, në shtëpinë e tyre në Bergamo, përfundoi programin e saj të rehabilitimit në ish-spitalin psikiatrik në Castiglione delle Stiviere dhe më 1 qershor është kthyer në gjysmë liri, e strehuar në një strukturë të mbrojtur në krahinën e Leccos.

Kanë kaluar pak më shumë se pesë vjet që nga mbrëmja mes 8 dhe 9 marsit 2014, kur në një “kurth çmendurie” Edlira vrau me thikë Simonën 13 vjeçe, Keisi, 10 vjeçe dhe Sidny vetëm 3 vjeçe, duke tentuar më pas të vriste edhe veten. Ajo u përpoq të hidhej nga shkallët por u ndalua nga karabinierët.

Nëna me origjinë shqiptare, e cila tani është dyzet e dy vjeç, u diagnostifikua nga ekspertiza si krejtësisht e paaftë për të kuptuar dhe për të dëshiruar, dhe si e tillë, as e dënueshme për vrasjen e trefishtë.

“Vajzat e mia të vogla nuk janë më”. “Ku janë Edla, janë nisur? Janë në Shqipëri?”. “Jo, i kam vrarë”. Këto kishin qenë fjalët e para të thëna nga Edlira, rrëfimi i parë i asaj çmendurie horror te një fqinjë tek e cila kishte shkuar në mëngjes herët dhe i kishte rënë ziles së shtëpisë.

Edlira ishte ndarë nga bashkëshorti i saj, Bashkim Dobrushi dhe për këtë arsye kishte frikë se vajzat e saj mund të vuanin për shkak të vështirësive ekonomike.

“Një arsyetim absurd me logjikën e saj, i çmendur po, por me pasoja – kishte thënë Prokurori Walter Mapelli. Nga ana tjetër, mizoria e incidentit dhe të njëjtat motivime të pa kuptimta janë shenjë e një problemi serioz mendor për gruan, por këtë duhet të na e thonë ekspertët”.