Një çift shqiptar, që iu kishte shkuar mendja të fshihnin kokainë në ariun prej pellushi të vajzës së tyre 2-vjeçare, po përballen të dy me 42 muaj burgim për shitje të lëndëve narkotike në Ghent të Belgjikës.

Rasti u zbulua në vitin 2017, ndërsa aktualisht po zhvillohen seancat gjyqësore. Ata u zbuluan nga deklarimet e disa prej klientëve të çiftit, të cilët po blenin kokainë nga shqiptarët. Në banesë iu gjet 10 gramë kokainë e fshehur në arushin e vajzës, si dhe sende të tjera që përdoreshin për përpunimin dhe paketimin e drogës.

“Isha i sigurt që vajza ime nuk e mbante kurrë atë arush, ishte vendosur lart në dollap. Kokaina ishte fshehur tek arushi sepse nuk e mendova kurrë që policia do të kontrollonte lodrat e fëmijëve”, tha në gjykatë babai i 2-vjeçares.

Prokurori kërkon 30 muaj burgim për babain dhe 1 vit për nënën. “Zonja shiti drogën kur bashkëshorti i saj nuk ishte në shtëpi, dhe kjo e bën atë bashkëpunëtore”, tha prokurori i çështjes. Përveç dënimeve, për çiftin shqiptar kërkohet edhe të gjobiten me 130 mijë Euro.

Vendimi i Gjykatës do të jepet më 14 maj.