Ndërhyrja e Policisë ka parandaluar një ngjarje të rëndë brenda familjes në Kukës. Një i moshuar pasi ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve i ka kërcënuar me armë gjahu dhe më pas ka tentuar të djegë banesën me benzinë.

Policia ka prangosur 79-vjeçarin I.S., i cili akuzohet për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës e mbetur në tentativë”.

NJOFTIMI I POLICISË

Falë ndërhyrjes në kohë të Policisë parandalohet një ngjarje e rëndë brenda familjes.

Arrestohet në flagrancë 79 – vjeçari, i cili pas dhunës psikologjike të ushtruar ndaj familjarëve të tij dhe nipit,  i ka kanosur  me armë gjahu, si dhe të djegë shtëpinë me benzinë.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kukës, arrestuan në flagrancë shtetasin I.S., 79 vjeç, banues në fshatin Kalimash.

Arrestimi i tij u bë pasi, në banesë, për motive të dobëta, ka shkatërruar orenditë e banesës, ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj familjarëve dhe nipit dhe më pas i ka kanosur me armë gjahu (çifte), si dhe ka tentuar të djegë shtëpinë me benzinë, por falë njoftimit në kohë të policisë dhe mbërritjes menjëherë në vendngjarje të inspektorit të Policisë së Zonës, i cili në bashkëpunim me familjarët i kanë marrë çiften dhe shishen e benzinës shtetasit I.S. duke e vënë në pranga.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e gjahut (çifte), disa fishekë, një shishe benzinë dhe   një çakmak.

Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Kanosja” dhe “Shkatërrimi i pronës e mbetur në tentativë”.