Një sasi prej 11 kg kanabis është sekuestruar nga policia e Tiranës në kuadër të një operacioni të koduar “Çokollata”, duke goditur një grup kriminal që merrej me shitjen e narkotikëve.

Si rezultat i operacionit në rrugën “Pavarësia” në Tiranë, u kapën dhe u arrestuan në flagrancë shtetasit:

E.K., 37 vjeç, banues në Tiranë
M.L., 33 vjeç, banues në Tiranë
I.G., 57 vjeç, banues në Tiranë

Policia sqaron se personat në fjalë tregtonin lëndë narkotike të llojit “Cannabis Sativa”, të presuar në formë çokollate, në sasi të konsiderueshme.

Detaje të operacionit të arrestimit:

Policia sqaron se mesditën e sotme shtetasi I. G., që drejtonte automjetin “Citroen”, bënte lëvizje të dyshimta në rrugën “Pavarësia”, duke shoqëruar automjetin tjetër “Mercedez – Benz”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., ku dyshohej se këta të fundit kishin në automjetin e tyre lëndën narkotike.

“Duke qenë në kushtet dhe në dyshimin e arsyeshëm, se personat në fjalë po përgatiteshin të shisnin lëndën narkotike tek persona ende të paidentifikuar, si dhe në bazë të veprimeve të dyshimta që po kryenin, është ndërhyrë menjëherë nga Policia, dhe pasi është ndaluar mjeti “Mercedez – Benz” me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin M. L., janë gjetur në bagazhin e këtij mjeti 4 thasë, ku brenda tyre kishte lëndë të dyshuar si “cannabis sativa”, të presuar në formë çokollate”, thuhet në deklaratë.

Sipas komunikatës, gjatë operacionit rreth 50 m larg automjetit të parë, është ndaluar dhe automjeti tip “Citroen”, me drejtues shtetasin I. G. Sasia e lëndës së dyshuar narkotike, pasi u peshua, rezultoi 111 kg.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.