Policia e Shtetit ka arrestuar 2 persona dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi akuzohen se kanë ndihmuar refugjatë sirianë për t’i dërguar në vende të Bashkimit Europian.

Nga burimet zyrtare mësohet se shtetasit e prangosur iu kanë dhënë ndihmë shtetasve sirianë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Itinerari”

Goditet  një tjetër tentativë në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të ndryshëm për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, me qëllim dërgimin në vende të BE-së.

Në pranga 2 shtetas dhe 1 tjetër shpallet në kërkim.

Sekuestrohen 2 automjete dhe 12 aparate celularë.

Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe falë një pune të mirëorganizuar hetimore, në kuadër të operacionit të  koduar “Itinerari”, arrestoi në flagrancë shtetasit:

– E. M., 26 vjeç, banues në Zemblak, Korçë;

– E. H., 33 vjeç, banues ne Zemblak, Korçë;

Si dhe u shpall në kërkim shtetasi K. H., 39 vjeç.

Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se me mjetet e tyre private, kundrejt shpërblimit monetar kanë marrë 8 shtetas (emigrantë klandestinë) të kombësisë siriane në qytetin e Bilishtit, në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, të cilët më pas do merreshin nga persona të tjerë me qëllim dërgimin e tyre në kufirin e gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Europian.

Në cilësinë e provës materiale, në kuadër të këtij operacioni, u sekuestruan 2 automjete dhe 12 aparate celularë. Po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, e kryer në bashkëpunim”.