Dyert e mortit u hapën në shtëpinë e gjyshërve nga babai, për të përcjellë për në banesën e fundit tre vogëlushët trinjakë. Familja Konçi në Romanat të Durrësit prej mbrëmjes së shkuar ka pritur e përcjellë qindra burra e gra që iu drejtohen atyre për ngushëllim. Për shkak të dëmeve që pësoi banesa njëkatëshe e Gazmend Konçit nga zjarri, ceremonia mortore u organizua te shtëpia e gjyshërve të viktimave. 

Të afërmit e familjes Konçi janë prekur nga tragjedia e rëndë e humbjes së jetës në mënyrë tragjike të trinjakëve. Ata thonë se nëna e fëmijëve shkoi te vjehrra pak minuta para se të shpërthente zjarri në banesën e saj.

“Nëna shkoi të dërgonte dy vajzat te vjehrra për të mësuar, sepse trinjakët nuk i linin të qeta vajzat për të bërë mësimet. Nëna e tyre Migena u largua vetëm pak minuta”, tha Hamdi Çela, daja i familjes Konçi, në mes të zisë e dhimbjes që ka përfshirë familjen pas humbjes së trinjakëve, Alesios, Valerios dhe Arturit.  

Mes lotësh e dhimbjeje të papërshkueshme, të afërmit thonë se pas kësaj tragjedie  të dy prindërit janë shkatërruar psikologjikisht. Një mjek qëndron në shtëpinë ku priten njerëzit për mort, me qëllim që t’i përmendin sa herë iu bie të fikët. “As nëna, as babai i fëmijëve dhe as gjyshja e tyre nuk përmbahen dot nga dëshpërimi i madh që i ka zënë”, thonë të afërmit.      

Ende nuk është përcaktuar se çfarë e shkaktoi zjarrin, por familjarët kanë dëgjuar se fëmijët kanë qenë duke luajtur me shkrepse.

Tragjedia në Romanat të Durrësit ndodhi në familjen e Gazmend Konçit pasditen e së mërkurës Teksa trinjakët ndodheshin të vetëm në banesë, dhoma e tyre u përfshi nga flakët.

K.H.