Ishin martuar këtë të diel, por martesa e tyre ka zgjatur vetëm 5 ditë. Olsjan Hajdari dhe Rezarta Hajdari 27 dhe 19 vjeç nga fshati Xhyrë i Librazhdit, dyshohet se janë vetëhelmuar e për pasojë ka ndërruar jetë 19-vjeçarja.

Ndërkohë 27-vjeçari vijon të jetë i shtruar në spitalin e Librazhdit, në gjendje të rëndë për jetën. 

Çifti i sapomartuar, nuk kishte mundur as të hidhte më shumë se 2 foto në rrjetet sociale, e për shkaqe që janë ende të paqarta për policinë, ata kanë tentuar t’i japin fund jetës duke u vetëhelmuar. 

Nga postimet e tyre në rrjetet sociale, duket që çifti ishin të dashuruar dhe i kushtonin deklarata dashurie njëri-tjetrit.

Policia ka reaguar me nje informacion paraprak ku thotë se 19 vjeçarja ka mbërritur pa shenja jetë në spital.

“Në Spitalin e Librazhdit ka shkuar pa shenja jete shtetasja R.H., rreth 19 vjeçe, si dhe bashkëshorti i saj shtetasi O.H., 27 vjeç, në gjendje të rëndë shëndetësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, banues në fshatin Xhyrë , Librazhd, pasi dyshohet se janë vetëhelmuar.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Policia e Elbasanit.