Zbulohen foto dhe video ekskluzive nga momentet e fundit të Festim Latos, 43-vjeçarit me origjinë nga Vlora, të vetëshpallur president i Republikës së Çamërisë, në momentet e fundit kur ai ishte gjallë, 4 ditë para 19 korrikut 2019. Trupi i tij u gjet i pajetë i prerë copa-copa, ndarë në thasë të ndryshëm në një kanal në Amsterdam të Holandës. Një emision investigues në Holandë dhe që kërkon informacione për autorët e vrasjes që ende nuk janë zbuluar, ka nxjerrë pamjet nga takimi i fundit më 15 korrik që Festim Lato ka pasur në një restorant me disa persona, për punë.

Në takim e kanë çuar shoqëruesit e tij me një Opel Vivaro të bardhë, tre burra dhe një grua. Pasi ka mbaruar takimin në restorant, Lato duket nga kamerat e sigurisë teksa del të takojë për një moment shoqëruesit e tij. Kthehet sërish, takon personin që ishte në restorant, dhe largohet me makinën e tij, MGTF135 blu të errët, me tavan pëlhure.

Është e çuditshme për hetuesit, se si një njeri si Festim Lato që nuk udhëtonte kurrë pa shoqërues, t'i linte ata të iknin dhe të largohej me makinën e personit që ishte në takimin e punës. Katër ditë më vonë, trupi i pajetë i tij u gjet i prerë dhe ndarë në disa thasë, hedhur ndoshta nga ndonjë barkë në Amsterdam Rijkanaal rreth 4 km vijë e drejtë nga Abcoude, vendi ku Festim Lato bëri takimin e punës në restorant. Personi në fjalë që e shoqëron me makinën e tij private, është identifikuar nga hetuesit atje, dhe është marrë në pyetje.

"Ne folëm me atë burrë, që tha që atë mesditë kishte folur me Festimin për punë. Pastaj e kishte zbritur atë nga makina diku në Abcoude, por nuk i kujtohej se ku", thotë hetuesja. Katër ditë para se t'i gjendej trupi i pajetë, kur është edhe momenti i fundit që ka pamje të Latos, ai mbante veshur një kostum blu, i cili nuk është gjendur në thasët me pjesët e copëtuara të trupit, dhe po ashtu mungon edhe një çantë kafe që ai kishte me çelës, dhe ora Rolex që ai mbante.

Festim Lato ishte baba i tre fëmijëve, ndërsa la pas nënën, vëllanë, dhe motrën binjake. Shumë njerëz ishin mashtruar prej tij. Media holandeze e përshkruan kështu: "Me gojën e rrjedhshme dhe intuitën e biznesit, Lato kishte bërë njerëz të investonin në "Çamërinë" e tij në shkëmbim të leje-ndërtimit nëse Lato do të merrte fuqinë. Kështu ai do të kishte mashtruar njerëz të ndryshëm për miliona të tëra. Shumë njerëz kishin probleme me të, si politikisht dhe financiarisht.".

Hetuesit ende nuk kane zbuluar motivin, autoret dhe diten kur eshte vrare.