Emrat e mundshëm të bashkëpunëtorëve në super-grabitjen në Rinas i janë vënë në dispozicion Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Një tjetër provë dorëzuar prokurorëve është edhe akt-ekspertimi mjeko ligjor i të ndjerit Admir Murataj. Dilemat e ngritura pas ngjarjes se kush qëlloi mbi njeriun që organizoi grabitjen e 6 milionë eurove, vijojnë edhe pas raportit mjeko–ligjor, raporton A2CNN.

I cilësuar si organizatori i grabitjes, Murataj mbante një maskë, e cila është tashmë një provë materiale në duart e policisë. Autopsia tregon se Murataj u qëllua me një armë kallashnikov në syrin e djathtë, i cili e bëri të paidentifikueshëm imazhin e tij. U desh ndërhyrja e familjarëve që të bëjnë identifikimin e kufomës. Por distanca nga e cila është qëlluar Admir Murataj mbetet enigmë, bashkë me personin që e eliminoi atë, pak minuta pas grabitjes.

Ndërkohë tre bankat e nivelit të dytë në vend i janë përgjigjur kërkesës së Prokurorisë në lidhje me shumën e parave që transportonin më 9 prill nga aeroporti i Rinasit, por edhe personave të brendshëm që dyshohet se kanë bashkëpunuar me autorët e grabitjes. Shuma e raportuar nga bankat arrin në 6 milionë euro, duke shuar kështu zhurmën se vlera e parave të grabitura në Rinas arrinte në 10 milionë euro. Prokurorët janë ndarë në dy grupe hetimi, që lidhen me faktin penal dhe atë administrativ të ngjarjes.

Fillimisht u dyshua për 10 milionë euro të grabitura. Burime për ABC News nga grupi i hetimit bëjnë të ditur se paratë që nuk u arrit të grabiteshin, nuk janë bllokuar. Ndërkohë janë bërë verifikime edhe për dy numra celularësh të cilët dyshohet që janë përdorur nga grabitësit.

Ata rezultojnë të jenë blerë në tregun e zi, ndërsa janë regjistruar në emër të dy personave me aftësi të kufizuara. Për këtë ngjare janë arrestuar 6 perona dhe 3 janë të shpallur në kërkim. Admir Murataj mbeti i vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë ditën e ngjarjes.

Gjykata e Krimeve të Rënda do të zhvillojë ditën e enjte seancën për mbylljen e hetimeve të dosjes për Muratajn, i cili ishte akuzuar si koka e grabitjes së blindave me para të bankave në rrugën drejt Rinas në vitin 2017.