Gjykata e Elbasanit ka dënuar me 10 vjet heqje lirie Shkëlzen Hasanpapaj, ai akuzuar se qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të Florenc Çapjas dhe Bledar Muçës, dy anëtarë të grupit “Çapja”, ngjarje kjo e ndodhur në qershor të 2016-s.

Vepra penale për të cilën akuzohet Hasanpapaj është ajo e “Vrasje me paramendim ndaj një ose më shume personave” e mbetur në tentative dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit”. Nga të shtënat i plagosur mbeti Bledar Muça që ishte në vendin e parë të pasagjerit me makinë ku udhëtonte së bashku me kushëririn e tij Florenc Çapja. Ndërkohë nga plumbat është plagosur në këmbë rastësisht një efektive e policisë së Elbasanit që ishte duke kaluar në anën tjetër të rrugës.

Pasi kreu krimin, Hasanpapaj u largua në drejtim të Holandës ku më pas u arrestua nga autoritetet e këtij shteti dhe u ekstradua në Tiranë. Edhe pse gjykata e ka dënuar me 10 vite burg, Hasanpapaj nuk i ka pranuar për asnjë moment të vetëm akuzat tentativën e vrasjes të ndodhur në qershor të 2016-s.

Por një analizë ADN-je ka zbuluar identifikimin e tij në këtë ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në qendër të Elbasanit.