Detaje të reja nga ngjarja e së mërkurës mbrëma ku një makinë “G Class” e blinduar me targa ruse u përmbys pranë ish-rreth rrotullimit të Shqiponjës në Laprakë.

Pas aksidentit, 34-vjeçari Eldin Dergjini që drejtonte makinën është paraqitur rreth 1 orë pas aksidentit në një spital privat, i cili pasi ka marrë ndihmën mjekësore është marrë në  pyetje nga policia.

“Kam qenë duke ecur me makinë me një shpejtësi normale. Me goditi nga pas një mjet tjetër. Humba kontrollin dhe u përplasa me një bordurë dhe makina ime u batua në rrugë. Nuk e pashë mjetin që më goditi. Pas aksidentit jam larguar në këmbë për pak metra dhe pastaj mora taksi dhe erdha në spital”.

Makina e blinduar me targë ruse H001CH 199 është sjellë në Drejtorinë e Tiranës dhe i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm por nuk janë gjetur sende të paligjshme në të.

I aksidentuari pretendon se makinën e ka sjellë nga jashtë vendit dje nuk e ka pajisur ende me dokumentacion shqiptar. 34-vjeçari është person me precedent penal i arrestuar në Shqipëri për kundërshtim të punonjësit të rendit publik dhe në Itali për narkotik.