Policia e Durrësit ka reaguar mbi ngjarjen e paprecedentë që ndodhi sot në Durrës, ku një i ri, të cilin e kishte mbyllur gruaja brenda që të mos dilte kundra rregullave të qeverisë për shkak të koronavirusit, tentoi të hidhej nga dritarja.

Policia informon zyrtarisht se:

“Më datë 19.03.2020, rreth orës 15:00, si rezultat i një reagimi të menjëhershëm i sherbimeve të Policisë së Rendit pasi konstatuan se një shtetas po tentonte të vetëhidhej, nga kati i 5 i një pallati, në lagjen nr 1, Durrës, u bë i mundur shpëtimi në kohë i shtetasit S.M., 28 vjeç, i cili ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.”

DurrësLajm” raportoi më herët, duke iu referuar burimeve policore, se i riu donte të thyente rregullin e të dilte jashtë, por e kishte mbyllur gruaja brenda, në mënyrë që të mos gjobitej.

Durimit të tij për të ndenjur mbyllur i kishte ardhur fundi dhe meqënëse gruaja nuk e lejonte të dilte, ai zgjodhi të dilte nga dritarja duke rrezikuar seriozisht jetën.

Gruaja lajmëroi policinë dhe menjëherë uniformat blu e ndihmuan për të mos rënë. Pasi u shpëtua nga policia, ai tha se donte të hidhej se nuk rrinte dot më brenda.