Dalin detaje të reja për jetën e 33-vjeçares greke, e cila u ekzekutua me armë ditë më parë në Athinë. Makina të shtrenjta, argëtime në buzuqet e famshme greke, veshje të firmave të shtrenjta, kjo ishte e përditshmja e Katerina-la Bella Mafia, siç shfaqet edhe në rrjetet sociale.

Dyshohet se ekzekutimi i saj mund të jetë kryer nga vrasës me pagesë, për larje hesapesh e biznesi nga bandat kriminale, të cilat dyshohet se veprojnë në Athinë.

Media greke "SKAI" raporton mbi këtë ngjarje, duke shtuar se: "33-vjeçarja greke e ekzekutuar në garazhin e shtëpisë së saj, ka qenë emër i njohur për policinë dhe e përfshirë në disa vepra penale. Viktima kishte lidhje të ngushta me një vrasës shqiptar në Athinë. Ky i fundit, në vitin 2009 ishte paguar 40 mijë euro për vrasjen e një gruaje. Për këtë ngjarje të ndodhur 9 vite më parë, doli pikërisht emri i 33-vjeçares të vrarë së fundmi, e dyshuar si porositëse, por më pas u lirua."

Shqiptari në fjalë nuk ka qenë një emër i panjohur për drejtësinë greke. Ndaj tij dyshohej për sulmin me acid ndaj një deputeteje greke, Konstantina Kuneva.

Ajo ka qenë e akuzuar për vjedhje, drogë dhe lidhje me organizatat kriminale, ndërsa 7 vite më parë kur ishte shtatzënë, iu bë atentat por pa pasoja për jetën. Policia greke vijon hetimet, ndërsa ende nuk ka një lokalizim për vrasësit e saj. Nga të dhënat e para, dyshohet se ndaj saj ka patur një pritë dhe për këtë janë marrë të gjithë pamjet në zonën ku u gjet e vrarë grekja./BalkanWeb