Detaje të reja janë zbardhur nga konflikti mes dy familjeve mbrëmjen e djeshme në Fier, ku mbetën të plagosur 5 persona.

Burime bëjnë me dije se konflikti kishte nisur midis dy familjeve, Zhupa dhe Braçe, në Levan të Fierit, ku janë plagosur me sende të forta dy shtetas Gentian Zhupa dhe Aldo Zhupa, ndërsa shtetasit Klajdi Lamaj dhe Erild Muçaj janë lenduar me mjet prerës dhe ndodhen në spital.

Të plagosurit janë transportuar për në Spital, për ndihmë mjekësore. Në urgjencën e spitalit një prej shoqërueseve të të dëmtuarve, E.Braçe, i ka marrë armën e zjarrit nga brezi punonjësit të policisë, i cili po ndihmonte për të futur të plagosurit në Urgjencë dhe ka plagosur me armë zjarri një prej familjarëve të palës tjetër, shtetasin Aleksandër Zhupa.

Në ndihmë të punonjësve të Policisë kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie duke kanë bërë bllokimin e dy shtetasve E.Braçe e D.Braçe dhe shoqërimin në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë për veprime të mëtejshme.

FNSH dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë po krehin zonën për të bërë të mundur kapjen edhe të një shtetasi tjetër të përfshirë në këtë ngjarje.