Të tjera detaje zbulohen rreth shpërthimit me tritol që ndodhi mëngjesin e sotëm rreth orës 03:20, në një banesë në lagjen "Isa Boletini" në Vlorë.

Lënda eksplozive ishte vendosur në hyrje të një banese në pronësi të shtetasit Jovan Çela, 43 vjeç, në katin e katër të një pallati.

Mësohet se 43-vjeçari punonte si zdrukthëtar dhe nuk ka qenë në banesë kur ka ndodhur shpërthimi, por aty ndodhej bashkëshortja me fëmijët.

Jovan Çela ka pasur precedentë të mëparshëm penalë për trafik droge, duke kryer edhe burg. Gjatë dëshmisë së tij për rreth 5 orë në polici, ai ka deklamuar se nuk ka konflikte me njeri dhe nuk i di arsyet se pse i kanë vendosur tritol në banesë. Mësohet se lënda eksplozive është aktivizuar përmes fitilit dhe jo me komandim.