Dalin detajet nga aksidenti i rëndë qe ndodhi paraditen e së dielës në Rrugën e Kombit, pranë fshatit Gëziq, ku një 13-vjeçare ka humbur jetën.

Vajza e mitur ishte në makinë me babanë e saj, G.I., 44 vjeç, kur në një moment, shoferi ka humbur kontrollin dhe makina “Toyata Yaris” është përplasur me trafikndarësen në autostradën Milot–Morinë.

13-vjeçarja me inicialet S.I. pësoi dëmtime të rënda, ku fillimisht humbi të dyja gjymtyrët e këmbës dhe pas transportimit me urgjencë në Spitalin e Traumës, ndërroi jetë. Ndërkohë, babai i saj ndodhet në spital nën kujdes mjekësor, jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, ambulanca ka mbërritur pas 40 minutave nga përplasja e fortë, kjo duke iu referuar edhe distancës që kishte vendi i aksidentit me Spitalin e Rrëshenit, raporton "Panorama".

Vajza u dërgua për ndihmë të parë në Rrëshen dhe më pas u transportua për në Spitalin e Traumës në Tiranë, duke qenë se gjendja e saj shëndetësore paraqitej e rëndë. Por, pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve, adoleshentja ndërroi jetë.

Policia, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, bëri të ditur se shkak për aksidentin është bërë shpejtësia me të cilën po lëvizte automjeti, çka solli humbjen e kontrollit të makinës dhe përplasjen me barrierat e rrugës. Pikërisht një prej barrierave metalike hyri brenda makinës “Toyota Yaris”, duke depërtuar në pjesën e derës së pasagjerit, ku ishte ulur vajza 13-vjeçare.

Kjo rezultoi fatale për jetën e saj, pasi i dëmtoi rëndë dy gjymtyrët e poshtme dhe më pas ndërroi jetë në spital nga humbja e madhe e gjakut. Ndërkohë, grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e rrethanave të aksidentit të rëndë po punon për shkaqet e ngjarjes.

“Në autostradën Milot–Morinë, në vendin e quajtur fshati Gëziq, shtetasi G.I., rreth 44 vjeç, banues në Tiranë, duke drejtuar automjetin e tij ka humbur kontrollin, duke u përplasur me trafikndarësen. Për pasojë ka humbur jetën vajza e tij e mitur S.I. rreth 13 vjeçe, e cila ishte pasagjere në mjet, ndërsa drejtuesi i mjetit ndodhet në spital nën kujdes mjekësor. Grupi hetimor vazhdon hetimet në vendin e ngjarjes për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit”, bëhet e ditur nga Policia.