Marsida Qatja, e cilësuar si “molla e sherrit” për vrasjen në Kavajë ka përfunduar në Prokurori për dëshmi kontradiktore. Mësohet se Qatja do të tregojë edhe njëherë me detaje se si ka ndodhur ngjarja në orët e para të mëngjesit të djeshëm.

Ajo ka dhënë dëshmi të ndryshme në polici nga ato që ka dhënë sot për mediat. Në media ajo deklaroi se viktimën Dritan Hoxholli e kishte vetëm shok, ndërsa në Prokurori ka deklaruar se ai i kërkonte marrëdhënie seksuale dhe e kërcënonte.

Gjithashtu ajo ka qenë e dyshimtë pasi më parë kishte deklaruar se ishte përdoruese e kokainës, ndërsa gazetarëve i tha se nuk ka pasur kokainë në shtëpi.

Kujtojmë se Hoxholli mbeti viktimë pas një sherri në shtëpinë e Marsida Qatjas. Gruaja e martuar, nënë e tre fëmijëve kishte kërkuar ndihmën e efektivit të burgjeve Bledar Toçi.

Viktima kishte shkuar në shtëpinë e Qatjas dhe e kishte gjetur atë me policin dhe dy komshinjtë Xhuljo Biturkun dhe Ermir Çelën. Ai ka qëlluar me armë drejt Toçit, i cili mbeti i plagosur dhe ky i fundit i është kundërpërgjigjur mezjarr me armën e shërbimit, duke e lënë Hoxhollin të vdekur në vend.