Një burrë dhe një grua janë vënë në pranga nga policia në Tiranë, të akuzuar për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Policia ka arrestuar qytetarin me iniciale R.H., pasi dhunonte fizikisht bashkëjetuesen e tij, 37-vjeçaren me iniciale A.K. Edhe kjo e fundit u arrestua, pasi mbante pa leje një pistoletë “EKOL”.

"Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” shtetasin R. H., pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëjetueses, shtetases A. K., 37 vjeçe. Gjithashtu u arrestua në flagrancë për “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe shtetasja e lënduar A. K.", njoftojnë uniformat blu.

Gjatë kontrollit të ushtruar, kësaj shtetaseje iu gjet në sahatin e ujit të pallatit ku banonte një armë zjarri pistoletë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.