Makina e gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër Andri Ymeri është djegur nga dy persona të paidentifikuar.
Ka qenë ora 23:48 e mbrëmjes së kaluar kur papritur dy persona me skafandër në kokë dhe me një motor janë afruar te mjeti tip “Benz” i gjyqtarit Andri Ymeri duke e lyer me lëndë djegëse benzinë dhe duke i vënë flakën makinës që ndodhej e parkuar afër kishës françeskane në Shkodër.

Menjëherë flaka është përhapur me shpejtësi duke shkrumbuar mjetin tip “Benz” të gjyqtarit Ymeri. Dy autorët pasi sigurohen në pak sekonda se mjeti mori flakë dhe po digjej janë larguar me shpejtësi në drejtim të Gjuhadolit.

Në videon e siguruar nga policia, autorët shihen duke u afruar dhe duke e lyer mjetin me benzinë e më pas duke i vënë flakën.

Vijon puna për zbardhjen e ngjarjes.