Një automjet tip “Range Rover” ka marrë flakë teksa ishte në lëvizje e sipër.

Ngjarja është shënuar rreth orës 13:40 në aksin rrugor Milot-Burrel, në vendin e quajtur Kongrazhd, ku shërbimet e policisë dhe grupi hetimor kanë konstatuar duke u djegur automjetin, me drejtues shtetasin A.K., 32 vjeç, banues në Peshkopi.

Drejtuesi i “Range Rover”-it, në përpjekje për të shuar flakët ka marrë dëmtime të lehta sipërfaqësore në njërën dorë.

Shërbimet e policisë e kanë transportuar në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmë mjekësore, ku pas marrjes së ndihmës së parë është larguar nga spitali.

Drejtuesi i automjetit po udhëtonte i vetëm në automjet, ndërsa makina është djegur pothuaj plotësisht.

Nga veprimet e kryera dhe nga deklarimet e drejtuesit të mjetit rezulton se shkaku i rënies së zjarrit në automjet ka ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në sistemin elektrik të mjetit.

Për të gjitha veprimet e kryera është komunikuar me Prokurorin e gatshëm, dhe materialet procedurale do t'i kalojnë Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Mat, si "Ngjarje Aksidentale".