Ka ndërruar jetë 29-vjeçarja Stela Gjoka, drejtuesja e mjetit që u plagos rëndë në aksidentin e ndodhur pasditen e së dielës në Rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit.

Përveç viktimës, ka mbetur i plagosur edhe një pasagjer nga Kosova, të cilit po i jepet ndihma e nevojshme mjekësore në spitalin e Kukësit.

Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë lagështira në rrugë, ç'ka ka bërë që mjeti “Volkswagen” i drejtuar nga vajza mirditore të dalë nga rruga dhe të përplaset me trafikndarësen.

Njoftimi i policisë:
Më datë 12.11.2017, në rrugën e Kombit, në afërsi të tunelit të Kalimashit, ka dalë nga rruga mjeti tip “Volkswagen” me targa AA 477JB, që drejtohej nga shtetësja S.Gj.

Për pasojë janë dëmtuar drejtuesja e mjetit, shtetësja S.Gj., 29 vjeçe, banuese në Mirditë, dhe shtetasi R.F, 32 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë.

Të dëmtuarit ndodhen në spitalin e Kukësit, ku drejtuesja e mjetit ndodhet në gjendje të rëndë shëndetsore.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes, ku po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.