Zbardhen detaje dhe dëshmi të reja nga dosja në ngarkim të katër të akuzuarve që u kapën me 3.4 mln euro në dy makina “Toyota Yaris” në portin e Durrësit.

Gazetarja e "DurrësLajm" ka siguruar një pjesë të dosjes, ku me rëndësi është dëshmia e Agim Çekut, 61-vjeçari që kishte nisur punë prej një muaji në kompaninë e trasportit të Edi Likës.

Ai flet për një rrugë të gjatë dhe e mundimshme që e bënte për herë të tretë dhe tregon me detaje se ngarkesën me makina “Toyota Yaris”, ua ka dorëzuar shtetasi Elvis Vladi në Belgjikë, ndërsa zhdoganimin në Durrës pritej ta bënte kushëriri i tij Alfredi, djali i xhaxhait.

“Prej një muaji ka punuar si shofer tek kompania e shtetasit Eduard Cani, Edi Lika i cili ka një firmë që transporton automjete me një trajler me targa AA120SP/AFR 559 nga vendet e Europës për në Shqipëri, Tiranë, me qëndër në Allias. Me këtë firmë ai deklaron se ka bërë tre rrugë në Belgjikë”,- thuhet në dosje.

SHOFERI TREGON ITINERARIN E TRAJLERIT NGA SHQIPËRIA NË BELGJIKË

Më datë 12.06.2018 shoferi deklaron të ketë marrë një telefonatë nga pronari i tij për të marrë trajlerin në Tiranë e të niseshin bashkë me djalin e tij Klevi Canin për në Belgjikë ku do ngarkonin disa makina për t’i sjellë në Shqipëri.

Më datë 13 ata janë nisur në mëngjes herët, kanë kaluar kufirin nga Hani i Hotit në Mal të Zi, pastaj në Kroaci, Slloveni, Austri dhe Gjermani. Në datë 16 kanë mbërritur në qytetin Sherlo të Belgjikës që rezulton të ishte edhe destinacioni i tyre.

Kanë qëndruar dy ditë aty dhe kanë fjetur dy ditë në trajler në pritje të makinave.

Në këtë vend ai deklaron të ketë qënë edhe një herë tjetër.

Kur kanë shkuar atje kanë kontaktuar me shtetasin Elvis Vladi, i cili i ka ngarkuar mjetet Toyota. Me pas kanë marrë edhe 2 mjete të tjera dhe janë nisur për në Itali në portin e Anconës. Në atë moment i ka marrë në telefon Eduardi dhe iu ka thënë të shkonin në portin e Barit dhe kanë shkuar në Bari.

Personi që priste makinat në portin e Durrësit e kishte emrin Fredi, djali i xhaxhait të Vis Vladit. Ai ishte edhe personi që priste doganat për makinat dhe më pas i niste për në Tiranë. Shoferi pohon se e ka takuar një herë tjëetër këtë të fundit dhe ai ishte marrë me zhdoganimin e makinave.