Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë kanë konstatuar të kultivuara disa bimë kanabis në tre vende të ndryshme në fshatin Drashovicë të Selenicës.

Në përfundim të veprimeve hetimore, Policia ka vënë para përgjegjësisë penale autorët e implikuar në këtë veprimtari të paligjshme:

• Është arrestuar shtetasi K. F., 62 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, pasi dyshohet se ka kultivuar disa bimë narkotike në një përrua në fshatin Drashovicë.

• Është shpallur në kërkim shtetasi F. R., 56 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, pasi në livadhet e Drashovicës dyshohet se ka kultivuar disa bimë narkotike kanabis, të cilat janë asgjësuar.

• Është arrestuar shtetasi M. R., 53 vjeç, banues në fshatin Drashovicë, me detyrë kryetar i fshatit Drashovicë, pasi dyshohet se ka patur dijeni për rastet e kultivimit dhe nuk ka kallëzuar në Polici.