Policia e Fierit ka sekuestruar drogë, armë, municione luftarake si edhe një sërë provash të tjera, në sajë të kontrolleve të befasishme për kapjen e personave në kërkim, të atyre që qarkullojnë me armë zjarri apo që tentojnë të shpërndajnë lëndë narkotike.

Si rezultat i kontrolleve, në një lokal në Zhupan, u kap me armë zjarri shtetasi Aleksandër Hoxhaj, 37 vjeç, banues në Zhupan, i cili ishte shpallur në kërkim nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik për veprën penale "Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave apo vizave".

Sapo ka parë policinë, shtetasi Aleksandër Hoxhaj ka hyrë në lokal dhe ka hequr armën nga brezi për ta hedhur nga dritarja e lokalit por veprimi i tij u konstatuar nga policia dhe u arrestua në flagrancë.

Gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi ju gjetën:

  • 15 paketime me lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa me peshë 43.5 Kg
  • 3 dokumente të falsifikuara: pasaportë, kartë identiteti dhe leje drejtimi automjeti në gjuhën Greke me foto të këtij shtetasi.
  • Sende të ndryshme të dyshuara që përdoren për kryerjen e vjedhjeve: 2 matrapikë, 2 leva metalike, 1 maskë me ngjyrë të zezë, 1 palë dorashka, 1 tub metalik që shërben për hapjen e dyerve, 1 pincë etj.
  • Sende që dyshohen se i ka vjedhur: 3 kompjuterë lap-top dhe 1 kasafortë metalike.
  • 34 fishekë pistolete dhe automatiku.

Kontrollet do vijojnë në gjithë Qarkun e Fierit për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë.

Policia e Fierit falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen dhe i fton ata të denoncojnë në numrin 112 çdo shkelje të ligjit duke u garantuar ruajtjen e anonimatit si dhe një reagim në kohë të Policisë.