Në sajë të masave të shtuara për parandalimin e aksidenteve rrugore, Policia Rrugore e Durrësit ka pezulluar 138 leje drejtimi si dhe ka çuar në pranga 6 shtetas për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe pa leje drejtimi.

Policia njofton se monitorim i qarkullimit me radar në akset rrugore është bërë për parandalimin e shpejtësisë tej normave të lejuara.

Kontrollet janë kryer në gjitha rrugët urbane e rurale të qarkut Durrës, duke përdorur dragerat për parandalimin e drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Gjithashtu, kontrollet janë përqendruar edhe në drejtim të parandalimit të përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit.

Si rezultat i kontrolleve, gjatë një jave, nga shërbimet e Policisë Rrugore janë arrestuar 4 drejtues mjetesh duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, si dhe 2 shtetas për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Si rezultat i përdorimit të radarit, janë evidentuar 126 drejtues mjetesh duke qarkulluar me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit, si dhe 12 drejtues mjetesh për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.

Janë ndëshkuar me masë administrative 56 drejtues mjetesh për mospërdorim të rripit të sigurimit, 237 për parakalim të gabuar, 278 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 23 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse gjatë drejtimit të motoçikletave, si dhe 1894 për shkelje të ndryshme të rregullave të qarkullimit rrugor.