Një shtetas nga Durrësi, i cili kishte jo pak vite diferencë me bashkëshorten, rreth 20 të tillë, i është drejtuar për ndihmë policisë, pasi, sipas denoncimit të bërë para bluve, dhunohej nga bashkëshortja.

Policia e Durrësit sqaron se ka plotësuar kërkesë-padinë për lëshimin e Urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për shtetasin L.B, vjeç 50, pasi dyshohet se bashkëshortja K.B vjeç 31, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij.

Kjo e fundit akuzohet për veprën penale ”Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”.

Por ky nuk është i vetmi çift me të tilla probleme në Durrës.

Në 24 orët e fundit, një 30 vjeçare nga qyteti bregdetar ka denoncuar në polici bashkëshortin e saj, po 30 vjeç, sepse dhunohej prej tij.

“U plotësua kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme, për shtetasen K.SH, vjeç 30, pasi dyshohet se bashkëshorti S.SH, vjeç 30, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj”, thuhet në njoftimin e policisë.