Pas ngjarjes së rëndë që ndodhi sot në Durrës, ku një 16-vjeçar humbi jetën pas një sherri me thikë ka folur xhaxhai i viktimës.

Ai ka hedhur dritë mbi orët e fundit të nipit të tij, konfliktin me personin që i mori jetën dhe dhimbjen e familjes për ngjarjen e rëndë.

Frrok Gjakozi, tregoi se nipi i tij, Anxheelo Gjakozi kishte shkuar në mësim 5 minuta me vonesë, ndërkohë që mësuesja nuk e kishte pranuar brenda, ndërsa ai kishte marrë mungesë. Xhaxhai, rrëfen mes dhimbjes për ngjarjen tragjike dhe akuzon mësuesen se kjo e fundit po të kishte mbajtur djalin në mësim, nuk do të kishte ndodhur krimi tragjik.

“Djali kishte shkuar 5 minuta me vonesë në mësim, por mësuesja nuk e kishte pranuar dhe e nxori jashtë. Pasi ka dalë nga mësimi ai u konfliktua me 17-vjeçarin. Djali ishte dërguar në spital nga disa kalimtarë të rastit, por fatkeqësisht nuk mbijetoi dot. Jemi të shokuar, është ngjarje e rëndë”. 

Adoleshenti që humbi jetën ishte nxënës në shkollën profesionale "Hysen Çela", ndërsa 17 vjeçari Devi Lala i cili e qëlloi me thikë, nxënës në shkollën "Naim Frashëri".

Mësohet se adoleshenti Anxhelo Gjikozi ka pasur dy plagë, njëra prej të cilave shumë afër zemrës, e cila i shkaktoi hemoragji të brendshme duke i marrë dhe jetën.