Gjykata e Durrësit ka vendosur të lërë në burg pa afat me qëlim ekstradimin drejt Italisë të 42-vjecarit Durim Keçi, i ndaluar tre ditë më parë, nga policia e Durrësit.

Nën masa të larta sigurie, Keci doli para gjykatës e cila prej mëngjesit ishte blinduar nga civilët dhe policët me uniforma, të cilët nuk lanë të hynte asnjë familjar në sallën e gjyqit.

Prokurori Ilir Turja kërkoi nga gjykata “arrest me burg “ për 42-vjecarin me pretendimin se nisur nga dënimi i marrë në Itali ai paraqet rrezik. Avokati mbrojtës Ilia Ilia në sallën e gjyqit i kujtoi gjykatëses operacionin e polcisë italiane të quajtur “Kanbun” në zonën e Bergamos në Itali, ku brenda një nate u arrestuan 135 banorë të Shijakut, që sipas tij u montua një gjyq manipulator dhe diskriminues ndaj shqiptarëve aso kohe.

Avokati i kërkoi gjykatëses të lërë të lirë klientin që sipas tij nuk është arratisur nga Italia, por vetëm është larguar dhe nuk paraqet asnjë rrezikshmëri. Gjykatësja Eda Kaja, vendosi ta konsiderojë të ligjshëm arrestimin në flagrancë dhe dha masën “arrest me burg të përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt shtetit Italian, ku Keci është i dënuar me vendim të formës së prerë.

Ilia Ilia tha se 135 shqiptarë nga Shijaku janë arrestuar brenda një nate si përfaqësues të një bande kriminale, pas denoncimit të dy vajzave nga Katundi i ri, të Suzana Vuthit dhe Ermira Kadiut. 5 prej anëtarëve të Kanunit u gjykuan në Shqipëri, njëri mori pafajësinë ndërsa të tjerët morën dënime shumë të lehta midis tyre, Arjan Kapo që mori pafajësinë, Arben Plaku, Rudin Calliku, etj. .  

Avokati hodhi akuza të rënda në drejtim të sistemit gjyqësor Italian, që sipas tij ka diskrimnuar shqiptarët me vendimet e dhëna. Një prej tyre është edhe klienti i tij. Dëshmia e dy vajzave u manipulua nga drejtësia italiane. Ato u përdorën dhe gjyqi ndaj 135 shijakasve dhe atyre nga Katër Rrugët u bë në mënyrë për të diskrimnuar shqiptarët.  

Keçi është dënuar nga Gjykata e Genovës/ Itali me Vendimin Nr.SIEP 294/2013 dt.21.02.2014 me 9 vjet e 7 muaj e 22 ditë burg për veprat penale “Dhunë, kërcënim dhe nëpërkëmbje të autoriteteve gjyqësore”,  “Shkatërrim prone me pasoja të rënda”, “Trafikim të lëndëve narkotike “,” Krime me armë kundër personit”, ” Pjesëmarrje në organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” parashikuar në nenet 338, 81, 342, 635/2 , 110, 73 dhe 416 të Kodit Penal Italian.

Ndjekim deklaratën e avokatit Ilia Ilia

K.H.