Ndalimi i një automjeti për një kontroll rutinë nga ana e policisë zbuloi një vjedhje.

Efektivët e policisë kanë arrestuar në flagrancë 34-vjeçarin G.S. nga Tirana, pasi, gjatë kontrollit të dokumentacionit në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, kanë konstatuar se mjeti tip “Toyota” me të cilin po udhëtonte i riu ishte vjedhur në një pikë shitje makinash në Shijak.

“Pas verifikimeve rezultoi se ky mjet ishte vjedhur rreth orëve të para të mëngjesit në një pikë shitje të automjeteve në Shijak, në pronësi të shtetasit D. P., i cili kishte bërë kallëzim për mjetin e vjedhur.

Në vijim të veprimeve nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, u arrestua në flagrancë shtetasi G. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja””,- njofton policia e Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.