Temperaturat e larta të ditëve të fundit duken se kanë ndikuar mjaft tek njerëzit, duke u "ndezur" gjakun.

Pas tre konflikteve me grushte e shkelma për të cilat DurrësLajm raportoi më herët gjatë ditës (lexo lajmin bashkangjitur), policia e Durrësit njofton për dy konflikte të tjera, në njërin prej të cilit protagoniste kanë qenë dy gra në moshë.

Mësohet se pas një konflikti të çastit, dy banore të lagjes nr.13 në Durrës janë konfrontuar fizikisht.

Gruaja më e re në moshë, shtetasja E.H., 44 vjeçe ka goditur me grushta 60-vjeçaren N.B. Kjo e fundit mësohet se ka marrë lëndime të lehta nga të rrahurit.

Ndërsa në një shtëpi në Sukth, xhaxhai 54-vjeçar R.S. ka rrahur nipin e tij 24 vjeç.

Denoncimi është bërë në polici nga i riu E.S. që ka treguar para efektivëve të rendit edhe shenjat e lëna nga konfrontimi me xhaxhain.

Në të dy rastet, Prokuroria e Durrësit ka nisur procedimin penal për dy protagonistët e sherreve, të akuzuar për “Lëndime të tjera me dashje”.