Janë dashur dy vjet përgjime e hetime për zbulimin e aktivitetit kriminal ku akuzohen si të përfshirë edhe dy ish-deputetët socialistë, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

Gazetarja Klodiana Lala duke iu referuar burimeve nga prokuroria, raportoi për “BalkanWeb” se Çuko dhe Ndoka u zbuluan nga grupi kriminal Avdulaj. Hetimi mësohet se ka nisur që në dhjetor të vitit 2016 dhe prej dy vitesh ky grup ishte në përgjim. E pikërisht këto përgjime kanë çuar dhe te dy ish-deputetët që u arrestuan ditën e djeshme në Tiranë.

MIK ME AVDULAJT

Nga përgjimi ka rezultuar se Arben Ndoka kishte mik një nga anëtarët e grupit të Avdulajve. Po kështu, Çuko është dëgjuar teksa i kërkohej transferimi i të burgosurve.

Gazetarja Lala raportoi se prokuroria ka zhvilluar hetim në tre drejtime, një për grupin, një për Arben Çukon dhe një për Arben Ndokën.