Një 23-vjeçare shqiptare ka ndërruar jetë në SHBA pasi është rrahur barbarisht nga bashkëshorti i saj, i cili më pas nuk ka njoftuar as Policinë.

Lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të nënës së një foshnje 11 muajshe e japin familjarët e Elena Alinjit, të cilët kërkojnë ndihmë dhe donacione për të sjellë trupin e saj në Shqipëri.

Njoftimi i familjarëve:

**Me zemër të pikëlluar lajmërojmë komunitetin shqiptar për humbjen e dhimbshme dhe të parakohshme të 23 vjeçares Elena Alinj. Shkaku i vdekjes është dhuna domestike nga partneri.

Elena ka pësuar vdekje klinike nga mungesa e oksigjenit në tru si pasojë e neglizhencës së partnerit për të njoftuar ndihmën e shpejtë në kohë. Është konfirmuar nga mjekësia dhe rajoni i policisë që viktima ka pësuar dëme të rënda nga violenca fizike kundra saj; frakturë brinjësh, frakturë e shtyllës kurrizore, shenja kafshimi dhe njolla nëpër trup. Vajza vdiq brenda 24 orësh në reanimacion.

Elena ishte nënë e devotshme e një foshnje 11 muajshe e cila fatkeqësisht nuk do arrijë ta shohë më kurrë nënën e saj. Foshnja tani ka ngelur pa prindër pasi babai i saj nuk është i përgjegjshëm. Elena erdhi në Amerikë për një jetë më të mirë pasi fitoi llotarinë amerikane. E vetme, pa asnjë të afërm në Amerikë ajo ra prehërin e një njeriu barbar që mesa duket nuk e kishte njohur mirë. Asnjëherë nuk është ankuar për partnerin e saj që e ka keqtrajtuar. Derisa të hënën në mëngjes pas shumë perpjekjesh për tu lidhur me të , u njoftuam që Elena ka pësuar infrakt në zemër nga dhuna barbare e partnerit të saj.

Ndërkohë që partneri i Elenës është i arrestuar dhe pritet të denohet, ne kërkojmë ndihmë nga ju për të derguar trupin e saj në Shqipëri ku ndodhen të gjithë të afërmit e saj dhe e ndjera te prehet ne paqe. Gjithashtu duhet të bëjmë të pamunduren që familja (nëna dhe babai) e Elenës të fitojë të drejtën per të rritur vajzën e vogël jetime.

Ju lutem na ndihmoni me sa mundesi te keni. Linku per donacione eshte me poshte. You falenderojme nga zemra ne emer te prinderve te Elenes Agron dhe Mirela Alinj!

-Linku për të dhuruar (Kliko këtu)