Një sasi eksplozivi e vendosur në një makinë ka shpërthyer pasditen e kësaj të shtune në Fier, në lagjen “Kryengritja”, në zonën e njohur si "Poçeria".

Burime policore lokale bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15, kur mjeti “BMW” me targë “AA 252 NM” ka qenë në lëvizje. 

Pronari i mjetit, që në momentin e shpërthimit ishte në timon, ka mbetur i plagosur tek këmbët e tij.

Ai është identifikuar si Armando Sula, 34 vjeç dhe është dërguar për mjekim në Spitalin Rajonl të Fierit. Paraprakisht mësohet se ai është person me precedent penal.

Në videon e publikuar TV Klan dallohet automjeti i përfshirë nga flakët, vetëm pak pas shpërthimit. 

Një grup i posaçëm i ngritur nga Drejtoria lokale e Policisë ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.