Florin Muça nga fshati Mallkuç i Fushë-Krujës i ka shpëtuar për mrekulli një atentati, pasi lënda plasëse e vendosur në makinë, për fatin e tij të mirë, nuk ka shpërthyer. Në momentin kur 43- vjeçari ka hipur në makinë, eksplozivi ka rënë në tokë.

Dyshohet se pas nisjes së tij, lënda plasëse do të shpërthente me anë të telekomandës, por, për fat të mirë, ajo është shkëputur menjëherë sapo drejtuesi i mjetit ka lëvizur makinën. Pasi ka rënë në tokë, një person tjetër ka parë eksplozivin dhe ka njoftuar Policinë, e cila ka nisur dhe hetimet lidhur me këtë ngjarje si dhe ka njoftuar vetë 43-vjeçarin.

Grupi hetimor nisi menjëherë punën për dokumentimin dhe zbardhjen e ngjarjes, ku fillimisht po punohet për zbulimin e ndonjë shenje gishtërinjsh në pakon e eksplozivit. Fillimisht, në pyetje është marrë vetë objektivi i atentatit, shtetasi Florin Muça, i cili ka dhënë detaje rreth kësaj ngjarjeje. Ai ka pohuar se nuk ka pikasur asnjë gjë të dyshimtë në makinën e tij, ndërsa ka theksuar se nuk ka dijeni se kush mund të jenë autorët.

“Nuk kam parë asgjë vetëm kur më lajmëruan se kishte rënë diçka e dyshimtë nga poshtë makinës. As e kam idenë se kush mund të fshihet pas kësaj. Nuk i kam bërë keq askujt”, mësohet të jetë shprehur 43-vjeçari.

Po ashtu në pyetje është marrë edhe banori i zonës, që ka pikasur i pari lëndën plasëse për të dhënë detaje. Policia shoqëroi në komisariat disa persona, të cilët dyshohen se mund të kenë lidhje me vendosjen e lëndës plasëse, por pasi janë marrë në pyetje, ata janë lënë sërish të lirë me qëllimin për t’i mbajtur nën vëzhgim.

Burime nga grupi hetimor thanë për gazetën se disa vite më parë, objektivit i kanë vrarë të vëllain po në afërsi të banesës së tij, por nuk japim më shumë detaje duke lënë të kuptohet se një ndër pistat ku po hetohet me intensitet të lartë është ajo e hakmarrjes për ndonjë konflikt të vjetër të familjes Muça.

Edhe pse familjarët e objektivit nuk është se kanë ndihmuar shumë për ndonjë pistë apo dyshim të mundshëm, Policia thotë se ka dyshime të forta se kemi të bëjmë me një konflikt të hershëm dhe shumë shpejt premton zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

“Më datë 23.03.2019, rreth orës 12:40, në fshatin Mallkuç, Krujë, shtetasi F.M., 43 vjeç, ka konstatuar në tokë, pranë makinës së tij, një qese të mbuluar me plastmas. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se në qese kishte lëndë plasëse. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, bëhet e ditur nga Policia.

DYSHIMET E POLICISE

Florin Muça, rreth 10 vite më parë, ka humbur vëllain e tij, të cilin e ekzekutuan në një atentat me armë zjarri pak metra larg banesës. Ngjarja ka mbetur e pazbardhur nga Policia. Atentati ndaj 43-vjeçarit ka sjellë dhe njëherë në kujtesë ngjarjen, duke bërë që hetuesit të dyshojnë për një konflikt të vjetër të familjes Muça me ndonjë familje tjetër të zonës. Vetë shënjestra nuk ka pranuar të japë shumë informacion për hetuesit. /PANORAMA