Mikel Gjovalin Alia është lënë në burg nga Gjykata e Lezhës.

Ai akuzohet si bashkëpunëtor në ekzekutimin e shokut të tij të ngushtë Eri Zefi në Mirditë në fillim të tetorit.

Gjatë seancës gjyqësore Alia nuk ka folur asnjë fjalë në lidhje me akuzat e ngritura ndaj tij.

Ndërsa në dëshminë e dhënë dje pas dorëzimit në polici, mohoi se nxorri Zefin në pritë te vrasësit, duke pretenduar se dy autorët kanë dashur ta vrisnin edhe atë.

Gjithashtu avokati i tij gjatë seancës gjyqësore tha se Alia nuk ka lidhje me ngjarjen.

Ai doli sot (13 nëntor) para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë të dhënë në mungesë të tij.

Alia u vetëdorëzua në polici paraditen e së mërkurës (12 nëntor). Mikel (Gjovalin) Alia qëndronte i fshehur në zonën e Fanit në Mirditë dhe u dorëzua mëngjesin e së martës pas negociatave të policisë përmes familjarëve.

Hetuesit dyshojnë se ai nxori në pritë te vrasësit shokun e tij të fëmijërisë, duke i thënë se do të shkonin në Mirditë për të vjedhur hashash.

34-vjeçari u dhunua përpara se të qëllohej me 4 plumba në kokë dhe 2 në gjoks. Trupi më pas u gjet i hedhur 50 metra larg rrugës së Kombit në fshatin Zall Xhuxhë.

Vrasësit dyshohet se u larguan drejt Kosovës dhe më pas drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Për këtë, Prokuroria e Lezhës iu është drejtuar me letërporosi autoriteteve kosovare ku i kërkon informacion për dy personat që kanë hyrë në territorin e Kosovës nga Shqipëria dhe më pas janë larguar nga Kosova në drejtim të Gjermanisë.