Policia është vënë në kërkim të autorit të dyshuar për vrasjen e Mario Majollarit, i cili mbeti i ekzekutuar me katër plumba mbrëmjen e të martës poshtë pallatit ku banonte, në zonën e Kinostudios.

Personi i kërkuar nga policia është shtetasi Kastriot Gjuzi, i cili më parë quhej Petrit Gjuzi, vëllai i Ilir Gjuzit, i cili është vrarë në vitin 2000 nga babai i viktimës.

NGJARJA

Rreth orës 20:25, Policia e Tiranës është lajmëruar përmes një telefonate në sallën operative, për të shtëna me armë zjarri në zonën e Kinostudios. Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet më të afërta të Komisariatit nr.4, që kanë konstatuar trupin e pajetë të një të riu.

Brenda pak minutash viktima është identifikuar si Mario Majollari, 28 vjeç, banor në pallatin pranë vendit ku u qëllua për vdekje. Policia tha se në vendin e ngjarjes janë gjetur 4 gëzhoja arme zjarri, që dyshohet të jetë pistoletë tip “TT”.

Burimet thanë se viktima është qëlluar në kokë dhe në trup e për pasojë ka gjetur vdekjen e menjëhershme.

Atentatorët kanë shfrytëzuar momentin kur në zonë nuk kishte shumë lëvizje. Në rrugicën me ndriçim të dobët nuk ka pasur lëvizje në momentin e krimit, kjo edhe për arsye se në atë moment po luheshin ndeshjet e “Champions League” dhe rrugët ishin të boshatisura, pasi banorët ishin nëpër lokale duke parë ndeshjet. Banorët e zonës u shprehën mbrëmë se kanë dëgjuar vetëm të shtënat dhe nuk kanë parë asgjë.