Arrestohet autori i vrasjes së 24-vjeçarit, Viktor Shkorreti, i cili u masakrua me kallashnikov për një vend parkimi. 

Në prangat e policisë ka rënë 32-vjeçari Emanuel Koca, banues në Tiranë.  Sherri me tyre ka ndodhur ditën e djeshme kur 24-vjeçari i  kërkoi  32-vjeçarit të mos parkonte para stadiumit pasi bllokonte lagjen.

“Mos e parko makinën, se këtu është vendi im”, kjo ka qenë edhe fjalia që viktima Viktor Shkorreti i ka thënë 32-vjeçarit me iniciale E.K para se të niste sherri. Menjëherë pas një debati prej disa minutash, 32-vjeçari ka vrarë  24-vjeçarin.

Njoftimi i policisë:

Policia e Kurbinit ka bërë arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së 24 vjeçarit V.SH, ndodhur mbrëmjen e djeshme.

Si rezultat i punës profesionale të bërë nga grupi i posaçëm hetimor i ngritur nga Policia e Shtetit për zbardhjen e ngjarjes, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin u bë e mundur që brenda një kohe të shkurtër të zbardhej ngjarja si dhe të identifikohej autori i dyshuar i vrasjes.

Policia e Shtetit vijoi kontrollet e pandërprera për lokalizimin dhe kapjen e autorit ku falë edhe bashkëpunimit me familjarët e autorit të dyshuar, në këto momente është bërë arrestimi i shtetasit E. K, 32 vjeç, banues Tiranë, si autor i dyshuar i vrasjes së 24 vjeçarit pas një konflikti të çastit.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare Kurbin për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 76 dhe 278/1 të Kodit Penal.